الوَاسِعُ
El-Uaasi’u
﴾
رَبَّنَا وَسِعْتَ كُلَّ شَيْءٍ رَحْمَةً وَعِلْمًا
﴿✦
"O Zoti ynë, Ti ke përfshirë çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde."
— Gafir, 7
Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 32Përktheu: Jeton Shasivari
[Ai që ka cilësitë me kuptimin më të gjerë të tyre]
Emri i Allahut “el-Uaasi’u’” është përsëritur në disa vende në Kur`an.
Kuptimi i emrit “el-Uaasi’u” është: Ai që ka cilësitë dhe tiparet me kuptimet më të gjera të tyre, si dhe çdo gjë tjetër që lidhet me to. Aq të gjera janë domethëniet e tyre, saqë askush nuk mund ta lavdërojë Atë ashtu siç meriton Ai, porse Ai është ashtu siç e ka lavdëruar Veten e Tij. Ai ka madhështi të gjerë, ka pushtet të gjerë dhe ka mbretëri të gjerë; Ai ka meritë e mirësi të gjerë, ka fisnikëri dhe bujari të gjerë.
Ka thënë i Lartësuari kur sqaron se sa e gjerë është dija dhe mëshira e Tij:
رَبَّنَا وَسِعْتَ كُلَّ شَيْءٍ رَحْمَةً وَعِلْمًا
﴿"O Zoti ynë, Ti ke përfshirë çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde."
— Gafir, 7
Ka thënë gjithashtu i Lartësuari kur tregon se sa i gjerë është furnizimi Tij:
إِنْ يَكُونُوا فُقَرَاءَ يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ
﴿"Nëse ata janë të varfër, Allahu do t’i pasurojë ata nga mirësia e Tij. Allahu jep mirësi të madhe dhe është i Gjithëdijshëm."
— en-Nur, 32
Ka thënë gjithashtu i Lartësuari kur sqaron se sa e gjerë është falja e Tij:
وَاللَّهُ يَعِدُكُمْ مَغْفِرَةً مِنْهُ وَفَضْلًا وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ
﴿"...kurse Allahu ju premton falje dhe mirësi prej Tij. Allahu fal shumë dhe është i Gjithëdijshëm."
— el-Bekare, 268
Nga çështjet që dëshmojnë për emrin e Tij “el-Uaasi’u” është se Ai, i Pastri nga çdo mangësi, u ka dhënë hapësirë të gjerë robërve të Tij në fenë e tyre dhe nuk i ka ngarkuar me diçka që ata nuk kanë mundësi ta bëjnë. Ka thënë i Lartësuari:
لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
﴿"Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë që ka."
— el-Bekare, 286
Kështu që, Allahut i takojnë lavdërimet dhe falënderimet e shumta, të mira e të begata, për lehtësimin që na ka dhënë, ashtu siç do dhe kënaqet Zoti ynë.