الْحَفِيظُ·الْحَافِظُ
El-Hafiidhu
[Ai që i ruan të gjitha krijesat e Tij në përgjithësi]El-Haafidhu
[Ai që i ruan robërit e Tij besimtarë në veçanti]﴾
إِنَّ رَبِّي عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٍ حَفِيظٞ٥٧
﴿✦
"Me të vërtetë që Zoti im është Ruajtës i gjithçkaje."
— Hud, 57
Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 34-35Përktheu: Alban Malaj
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
إِنَّ رَبِّي عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٍ حَفِيظٞ٥٧
﴿"Me të vërtetë që Zoti im është Ruajtës i gjithçkaje."
— Hud, 57
Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:
إِنَّا نَحۡنُ نَزَّلۡنَا ٱلذِّكۡرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ
﴿"Me të vërtetë që Ne e zbritëm Përkujtuesin (Kur`anin) dhe padyshim që Ne jemi Ruajtësit e Tij."
— el-Hixhr, 9
Këta dy emra madhështorë tregojnë që Allahu i Pastër nga çdo mangësi cilësohet me veprën e ruajtjes. Ruajtja e Allahut të Lartësuar për robërit e Tij është dy llojëshe: e përgjithshme dhe e veçantë.
Ruajtja e përgjithshme është ruajtja e Tij për ta, duke ua lehtësuar atyre ngrënien, pirjen dhe ajrin; i ka udhëzuar ata tek ato gjëra që janë të dobishme për ta, ka caktuar dhe ka vendosur për ta domosdoshmëri dhe nevoja, e të gjitha ato përbëjnë udhëzimin e përgjithshëm, për të cilin ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:
الَّذِي أَعْطَى كُلَّ شَيْءٍ خَلْقَهُ ثُمَّ هَدَى
﴿"Ai i cili i dha çdo gjëje krijimin që i takonte dhe pastaj e udhëzoi."
— Taha, 50
Gjithashtu, Ai i ruan ata duke larguar prej tyre gjëra të ndryshme të urryera, të dëmshme apo të këqija. Kjo ruajtje e Allahut është për njerëzit e mirë dhe për njerëzit e prishur, madje edhe për kafshët dhe krijesat e tjera. Bijve të Ademit u janë caktuar melaike që t’i ruajnë ata, me urdhrin e Allahut, sikurse ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:
لَهُۥ مُعَقِّبَٰتٞ مِّنۢ بَيۡنِ يَدَيۡهِ وَمِنۡ خَلۡفِهِۦ يَحۡفَظُونَهُۥ مِنۡ أَمۡرِ ٱللَّهِۗ
﴿"Ai ka melaike që e përcjellin atë nga përpara e nga mbrapa, si dhe e mbrojnë atë ngaqë i ka urdhëruar Allahu."
— err-Rra’d, 11
Domethënë që ata largojnë prej tij – me urdhrin e Allahut – çdo gjë që e dëmton atë, e cila patjetër që do ta kishte dëmtuar atë, po të mos kishte qenë ruajtja e Allahut.
Kurse ruajtja e veçantë është ruajtja që ia jep Allahu robërve të Tij të dashur, përveç ruajtjes së përgjithshme që u përmend më përpara, ngaqë Ai ua ruan atyre imanin nga dyshimet devijuese, nga fitnet rrëmbyese dhe nga epshet shkatërruese. Kështu pra, Ai u jep atyre mirëqënie duke i ruajtur nga të gjitha ato, si dhe duke i ruajtur nga armiqtë e tyre xhindë e njerëz e duke i ndihmuar kundër tyre. Ai i heq prej tyre komplotet e armiqve, e në varësi të imanit që ka robi, ashtu do të jetë edhe mbrojtja e Allahut për të.
Për këtë arsye, ka thënë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
احْفَظْ اللهَ يَحْفَظْكَ
"Ruaje Allahun që të të ruajë Allahu ty."
(E ka transmetuar Ahmedi dhe Tirmidhiu.)
Domethënë: ruaji urdhrat e Allahut duke i zbatuar ato, ruaji ndalesat e Allahut duke qëndruar larg tyre, ruaji kufijtë e Allahut duke mos i shkelur ato, që Ai të të ruajë veten tënde, fenë tënde, pasurinë tënde, fëmijën tënd, si dhe çdo gjë tjetër që ta ka dhënë Allahu i Pastër nga çdo mangësi.