الشَّكُورُ·الشاكِرُ

Esh-Shekuur

[Shpërblyesi i madh]

Esh-Shaakir

[Shpërblyesi]

لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَيَزِيدَهُم مِّن فَضْلِهِ ۚ إِنَّهُ غَفُورٌ شَكُورٌ

﴿

"Në mënyrë që Allahu t'ua japë të plotë shpërblimin e tyre dhe t'ua shtojë akoma më tepër nga mirësia e Tij. Pa dyshim që Ai është Falës i Madh, Shpërblyes i madh."

— Fatir, 30

Emri “esh-Shekuur” është përmendur në katër vende në Kur'an. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَيَزِيدَهُم مِّن فَضْلِهِ ۚ إِنَّهُ غَفُورٌ شَكُورٌ

﴿

"Në mënyrë që Allahu t'ua japë të plotë shpërblimin e tyre dhe t'ua shtojë akoma më tepër nga mirësia e Tij. Pa dyshim që Ai është Falës i Madh, Shpërblyes i madh."

— Fatir, 30

Thotë gjithashtu i Lartësuari:

وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي أَذْهَبَ عَنَّا الْحَزَنَ ۖ إِنَّ رَبَّنَا لَغَفُورٌ شَكُورٌ

﴿

"E ata do të thonë: Lavdia dhe falenderimet i takojnë Allahut, i Cili na i largoi brengat. Pa dyshim që Zoti ynë është Falës i Madh, Shpërblyes i madh."

— Fatir, 34

Thotë gjithashtu i Lartësuari:

وَمَن يَقْتَرِفْ حَسَنَةً نَّزِدْ لَهُ فِيهَا حُسْنًا ۚ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ شَكُورٌ

﴿

"Ndërsa ai që bënë një vepër të mirë, Ne do t'ia shtojmë të mirat atij për atë vepër. Me të vërtetë që Allahu është Falës i Madh, Shpërblyes i madh."

— Esh-Shuuraa, 23

Thotë gjithashtu i Lartësuari:

إِن تُقْرِضُوا اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا يُضَاعِفْهُ لَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۚ وَاللَّهُ شَكُورٌ حَلِيمٌ

﴿

"E nëse ju jepni hua sinqerisht për Allahun, Ai do t'ua kthejë shumëfish dhe do t'ju falë juve. Allahu është Shpërblyes i madh, i Vetëpërmbajtur."

— Et-Tegabun, 17

Ndërsa emri “esh-Shaakir” është përmendur në dy vende: ka thënë i Lartësuari

وَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًا فَإِنَّ اللَّهَ شَاكِرٌ عَلِيمٌ

﴿

"E kush bënë vepra të mira vullnetare, le ta dijë se Allahu është Shpërblyes, i Gjithëdijshëm."

— El-Bekareh, 158

Thotë gjithashtu i Lartësuari:

مَّا يَفْعَلُ اللَّهُ بِعَذَابِكُمْ إِن شَكَرْتُمْ وَآمَنتُمْ ۚ وَكَانَ اللَّهُ شَاكِرًا عَلِيمًا

﴿

"E përse duhet t'ju ndëshkojë Allahu kur ju jeni falenderues dhe keni besuar?! Me të vërtetë që Allahu është Shpërblyes, i Gjithëdijshëm."

— En-Nisa, 147

Të gjitha këto gjashtë vende ku janë përmendur këta dy emra, tregojnë që Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm, ka mirënjohje se Ai i vlerëson të devotshmit, u jep shpërblimet atyre, ua shton mirësitë dhe ua shumëfishon sevapet. Pra, kjo na e sqaron neve kuptimin e këtyre dy emrave. Kështu që “esh-Shekuur” dhe “esh-Shaakir” është Ai, tek i Cili nuk humbet vepra e vepruesit, përkundrazi, Ai ia shumëfishon shpërblimin pa hesap; është Ai që i pranon edhe veprat e vogla dhe i shpërblen ato me shpërblime të mëdha, të shumta, e të gjera; është Ai i Cili ua shumëfishon veprat të sinqertëve pa hesap, i falënderon falënderuesit, si dhe i përmend ata që e përmendin Atë. Kush i afrohet Atij sa një pëllëmbë, Ai i afrohet atij sa një krah, e kush i afrohet Atij sa një krah, Ai i afrohet atij sa një pash. E kush vjen tek Ai me një vepër të mirë, Ai ia shton të mirat për të dhe i jep shpërblime të shumta.

Ajetet e mësipërme i kanë përmendur bashkë njëri pas tjetrit emrin “el-Gafuur” (Falësi i Madh) dhe “esh-Shekuur” (Shpërblyesi i Madh). Kështu që Ai, i Pastri prej të metave, është Falës i të gjitha gjunaheve, sado të mëdha të jenë ato, sepse asnjë gjunah nuk është më i madh se falja e Tij. Ai është Shpërblyesi i çdo vepre, qoftë ajo e vogël, edhe sikur të jetë sa një grimcë.

Prandaj, nuk i lejohet Muslimanit që t'i humbë shpresat nga Falja e Allahut, sado të mëdha të jenë gjunahet e tij, ashtu siç nuk i lejohet t'i nënçmojë veprat e mira që bën, sado të vogla të jenë ato, sepse Zoti, i Pastër prej të metave, është Falës i Madh, Shpërblyes.

Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 45-46Përktheu: Servet Mata
Emratmë tëBukur

© 2026