السَّمِيع

Es-Semii'

Dëgjuesi

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ ۖ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

﴿

"Asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi."

— Esh-Shura, 11

Ai është një emër që është përsëritur përmendja e tij në Kur'an afërsisht pesëdhjetë vende, prej tyre Fjala e Allahut të Lartësuar:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ ۖ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

﴿

"Asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi."

— Esh-Shura, 11

Gjithashtu është Fjala e të Lartësuarit:

وَإِذْ يَرْفَعُ إِبْرَاهِيمُ الْقَوَاعِدَ مِنَ الْبَيْتِ وَإِسْمَاعِيلُ رَبَّنَا تَقَبَّلْ مِنَّا ۖ إِنَّكَ أَنتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

﴿

"Përkujto edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili ngrinin themelet e Qabesë, ndërsa thonin: O Zoti ynë na e prano neve këtë vepër, me të vërtetë që Ti je Dëgjuesi i Gjithdituri."

— el-Bekareh, 127

Es-Semii'u” është Ai që i dëgjon të gjithë zërat njëkohësisht, edhe pse ndryshojnë gjuhët dhe kërkesat e tyre. Te dëgjimi i Tij arrin çdo fjalë që thuhet fshehurazi apo haptazi. Thotë i Lartësuari:

سَوَاءٌ مِّنكُم مَّنْ أَسَرَّ الْقَوْلَ وَمَن جَهَرَ بِهِ وَمَنْ هُوَ مُسْتَخْفٍ بِاللَّيْلِ وَسَارِبٌ بِالنَّهَارِ

﴿

"Është njëlloj për Atë, si ai që flet me zë të ulët si ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën e si ai që shfaqet ditën."

— er-Rra'd, 10

Dëgjimi i Tij i përfshin të gjithë zërat dhe ato nuk i ngatërrohen e as i pështjellohen aspak Atij, as nuk e shpërqendron një zë nga një zë tjetër, as nuk e bëjnë të gabojë me lutjet e ndryshme dhe nuk e bezdisin Atë lutësit e shumtë.

Ka transmetuar Imam Ahmedi dhe të tjerë, nga Aishah - radijAllahu anha -, e cila ka thënë: “Lavdia i takon Atij, dëgjimi i të Cilit ka përfshirë të gjithë zërat. Kur erdhi te Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – gruaja që po ankohej dhe po fliste me të, ndërsa unë isha në një qoshe të shtëpisë e nuk dëgjoja se çfarë thoshte, kurse Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm zbriti ajetin:

قَدْ سَمِعَ اللَّهُ قَوْلَ الَّتِي تُجَادِلُكَ فِي زَوْجِهَا وَتَشْتَكِي إِلَى اللَّهِ وَاللَّهُ يَسْمَعُ تَحَاوُرَكُمَا ۚ إِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ بَصِيرٌ

﴿

"Me të vërtetë që Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që diskutoi me ty për burrin e saj dhe duke u ankuar tek Allahu për burrin e saj. Pa dyshim që Allahu e dëgjoi diskutimin tuaj, se me të vërtetë që Allahu është Dëgjues, Shikues."

— El-Muxhadileh, 1

Ndërsa në një transmetim tjetër Aishah tha: “I Lartësuar është Ai, dëgjimi i të Cilit ka përfshirë gjithçka.”

Madje sikur luteshin në të njëjtën kohë të gjithë xhindët dhe njerëzit, që nga i pari e deri tek i fundit i tyre, deri kur Allahu ta marrë tokën dhe ç’ka në të, e çdokush të kërkonte nevojën e tij, çdonjëri të fliste me dialektin e tij dhe me gjuhën e tij; padyshim që Allahu do t'i dëgjonte të gjithë ata, pa iu ngatërruar ndonjë zë me një tjetër, ndonjë gjuhë me një tjetër, apo ndonjë nevojë me një tjetër.

Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 21-22Përktheu: Servet Mata
Emratmë tëBukur

© 2026