الطَّيِّب

Et-Tajjib

i Miri, i Pastri.

يَا أَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنْ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحاً إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ

﴿

"O ju të dërguar, hani nga gjërat e mira dhe bëni punë të mira. Vërtet Unë jam i Gjithdijshmi për atë që punoni."

— El-Muminun, 51

Ky emër ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejras, radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: ‘O ju njerëz, Allahu është i Mirë dhe e pranon vetëm të mirën. Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit. Pastaj tha:

يَا أَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنْ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحاً إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ

﴿

"O ju të dërguar, hani nga gjërat e mira dhe bëni punë të mira. Vërtet Unë jam i Gjithdijshmi për atë që punoni."

— El-Muminun, 51

Po ashtu tha:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ

﴿

"O ju që besoni, hani nga gjërat e mira me të cilat ju kemi furnizuar."

— El-Bekarah, 172

Pastaj e përmendi atë personin i cili e zgjat udhëtimin, është i pakrehur dhe i pluhurosur, i ngre duart drejt qiellit duke thënë:

"O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, pijen e ka haram, veshjen e ka haram dhe ushqehet me haram. Si t’i përgjigjet lutjes së këtij?!"

(Transmeton Muslimi (1015).)

Emri et-Tajjib do të thotë se Ai, i Lartësuari, është i Pastër dhe i Lartësuar nga të gjitha mangësitë dhe veset, ngaqë origjina e fjalës “et-Tajjib” është pastërtia dhe paprekshmëria nga çdo gjë e fëlliqur dhe e ligë. Allahu ka qenë përjetësisht dhe do të jetë përjetësisht i Përsosur në Veten dhe veprat e Tij; veprat dhe fjalët e Tij dalin nga përsosmëria e Tij. Ai është perfekt dhe i plotë, prandaj Ai bën një vepër që i ka hije përsosmërisë së Tij.

Duke u bazuar në këtë, themi: emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta të Allahut tregojnë për atë që Ai bën dhe thotë dhe për atë që Ai nuk e bën dhe nuk e thotë. Ai, i Pastri nga çdo mangësi, bën dhe thotë atë që vjen si shkak i përsosmërisë dhe madhështisë së Tij; Ai nuk e bën dhe nuk e thotë atë që e kundërshton këtë përsosmëri dhe madhështi. Pra, Ai është i Mirë dhe i Pastër, dhe fjalët e Tij janë të mira, kurse cilësitë e Tij janë gjëja më e mirë dhe emrat e Tij janë emrat më të mirë. Emri i Tij është i Miri dhe nuk vjen prej Tij vetëm se mirë dhe nuk ngjitet tek Ai vetëm se e mira; nuk afrohet tek Ai vetëm se e mira; fjalët e Tij janë të mira dhe tek Ai ngjitet fjala e mirë; vepra e Tij është e mirë dhe vepra e mirë ngrihet tek Ai.

Pra, të gjitha të mirat janë të Tijat, që i atribuohen Atij, vijnë prej Tij dhe mbarojnë tek Ai.

Fjala e tij, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, në hadith:

"إن الله طيب لا يقبل إلا طيباً"

"Allahu është i Mirë dhe nuk pranon gjë tjetër përveç se të mirës."

Kjo tregon se Allahu, i Pastri nga çdo mangësi, i pranon vetëm fjalët dhe veprat e mira, dhe kjo i përfshin të gjitha veprat dhe fjalët. Kështu që, njeriu besimtar bën vetëm vepra të mira, thotë vetëm fjalë të mira, fiton vetëm atë që është e mirë dhe e jep vetëm se atë që është e mirë, sepse me të mirën janë përshkruar veprat, fjalët dhe besimi.

Vepra, fjalët dhe besimi ndahen në të mira dhe të këqija, siç ka thënë i Lartësuari:

قُلْ لا يَسْتَوِي الْخَبِيثُ وَالطَّيِّبُ وَلَوْ أَعْجَبَكَ كَثْرَةُ الْخَبِيثِ

﴿

"Thuaj: “E keqja dhe e mira nuk janë të barabarta, edhe nëse ty të çudit e keqja e shumtë."

— el-Maideh, 100.

Feja e pastër Islame është e gjitha fe e mirë në besimin, dispozitat dhe normat morale të saj. Besimi i kësaj feje i ka rrënjët në besimin në Allahun, melaiket e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, Kaderin e Tij, qoftë i mirë apo i keq. Ky është besimi i vërtetë me të cilin qetësohen zemrat dhe rehatohen shpirtrat. Ai që ka këtë besim dhe i përmbahet këtij besimi, do ta shpie atë drejt synimit më me vlerë dhe kërkesës më të mirë. Dispozitat e tij janë më të mirat dhe normat morale janë më të mirat. Në këtë fe qëndron rregullimi dhe përmirësimi i dunjasë dhe ahiretit, kurse me lënien e kësaj feje ndodh shkatërrimi dhe humbja e çdo gjëje.

Kur besimtari e pastron vetveten në këtë botë në besimin, veprat dhe fjalët e tij, Allahu do ta nderojë atë në botën e përhershme duke e futur atë në Shtëpinë e të Mirëve (në Xhenet) dhe askush tjetër nuk do të futet në Xhenet vetëm se i miri. Ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:

وَسِيقَ الَّذِينَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ إِلَى الْجَنَّةِ زُمَراً حَتَّى إِذَا جَاءُوهَا وَفُتِحَتْ أَبْوَابُهَا وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا سَلامٌ عَلَيْكُمْ طِبْتُمْ فَادْخُلُوهَا خَالِدِينَ)

﴿

"Ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, do të sillen në grupe për në Xhenet, dhe kur do të afrohen për të hyrë në Xhenet, dyert e tij do të jenë të hapura dhe rojet e tij do t’u thonë: “Selam alejkum” Ju keni bërë mirë (në dunja), andaj hyni në të për të jetuar përjetësisht."

— Ez-Zumer, 73

Pra, Allahu në fund përmendi se për shkak të mirës që keni bërë, do t’ju thuhet “Hyni në të.”

O Allah, na bëj prej robërve Tu të mirë, të cilëve do t’u thuhet në Ditën e Kijametit:

ادْخُلُوا الْجَنَّةَ لا خَوْفٌ عَلَيْكُمْ وَلا أَنْتُمْ تَحْزَنُونَ

﴿

"Hyni në Xhenet! Nuk do të ekzistojë më frikë për ju dhe kurrë nuk do të dëshpëroheni më."

— El-Araf, 49

Autori: Shejkh Abdur-Razzak el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 85-86Përktheu: Jeton Shasivari
Emratmë tëBukur

© 2026