الشَّهِيدُ·الرَّقِيبُ
Esh-Shehiid
[Dëshmuesi]Er-Rakiib
[Mbikëqyrësi]﴾
وَكَفَىٰ بِاللَّهِ شَهِيدًا
﴿✦
"...dhe mjafton Allahu si Dëshmues."
— en-Nisa, 79
Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 30Përktheu: Servet Mata
Për sa i përket emrit “esh-Shehiid”, ai është përmendur në disa vende në Kur'an. Thotë i Lartësuari:
وَكَفَىٰ بِاللَّهِ شَهِيدًا
﴿"...dhe mjafton Allahu si Dëshmues."
— en-Nisa, 79
Ndërsa emri “er-Rakiib” është përmendur në tre vende, e në njërin prej tyre është shoqëruar me emrin “esh-Shehiid”.
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا
﴿"Me të vërtetë që Allahu është Mbikëqyrës mbi ju."
— en-Nisa, 1
Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:
وَكَانَ اللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ رَّقِيبًا
﴿"E Allahu është Mbikëqyrës mbi çdo gjë."
— el-Ahzab, 52
Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:
وَكُنتُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًا مَّا دُمْتُ فِيهِمْ ۖ فَلَمَّا تَوَفَّيْتَنِي كُنتَ أَنتَ الرَّقِيبَ عَلَيْهِمْ ۚ وَأَنتَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ
﴿"(Isai tha): Unë isha dëshmues i tyre përderisa isha me ta, por kur Ti më ngrite lart, atëherë Ti ishe Mbikëqyrësi i tyre. Nuk ka dyshim se Ti je Dëshmues mbi çdo gjë."
— el-Ma`ideh, 117
Ndërsa emri “esh-Shehiid” do të thotë: Ai i Cili është i Gjithëdijshëm për çdo gjë dhe nuk i fshihet asnjë gjë; Ai që dëgjon çdo zë, qoftë zë i ultë apo i lartë; Ai që shikon çdo gjë që ekziston, sado e imtë apo e dukshme, e vogël apo e madhe të jetë ajo. Dija e Tij përfshin gjithçka dhe Ai është i Cili do të dëshmojë në favor të robërve të Tij apo kundër tyre, sipas veprave që kanë bërë ata.
Emri “er-Rakiib” do të thotë: Ai i Cili është i Gjithëdijshëm për ato që mbajnë brenda zemrat; Ai i Cili mbikëqyr çdo shpirt për veprat që bën; Ai i Cili i ruan krijesat dhe i vë në lëvizje ato sipas një rregulli dhe sistemi plotësisht të përsosur. Ai mbikëqyr shikimet me shikimin e Tij dhe nuk i fshihet asgjë; mbikëqyr dëgjimet me dëgjimin e Tij gjithëpërfshirës dhe mbikëqyr të gjitha krijesat me dijen e Tij, e cila dija përfshin gjithçka.
Besimi në këtë emër dhe domethënien e Tij, e nxit njeriun që të ketë ndërmend gjithmonë mbikëqyrjen e Allahut të Plotëfuqishëm e të Lartëmadhëruar, në çdo vepër e në çdo gjendje të tij. Sepse vetëdijesimi i robit për mbikëqyrjen e Allahut është një nga frytet e diturisë që ka robi se Allahu i Patëmeta është Mbikëqyrësi i tij, që Ai e shikon atë, i dëgjon fjalët e tij dhe i vëzhgon veprat e tij në çdo kohë, në çdo çast, në çdo frymëmarrje dhe për çdo përpëlitje të syrit.