الرب
Er-Rabb
Zoti
﴾
الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ٢
﴿✦
"Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve."
— El-Fatihah, 2
Autori: Shejkh Abdur-Razzak el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 9Përktheu: Servet Mata
Ky është një emër madhështor i Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, i cili përsëritet në shumë vende në Kur'anin Fisnik dhe në kontekste të ndryshme, të cilat kalojnë mbi pesëqind. Thotë Allahu i Lartësuar:
الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ٢
﴿"Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve."
— El-Fatihah, 2
Thotë i Lartësuari:
قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ١٦٢
﴿"Thuaj (o Muhammed): Me të vërtetë që namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve."
— El-En'am, 162
Fjala “erRabb – Zot” do të thotë: Ai që posedon zotërimin e të gjitha krijesave të Tij, në krijimin, sundimin, drejtimin dhe sistemimin e çështjeve të tyre. Ky emër është një prej emrave që ka disa kuptime dhe nuk kufizohet me një kuptim të vetëm. Madje, nëse ky emër përmendet veçmas, i përmban të gjitha kuptimet e Emrave të bukur të Allahut dhe Cilësive të Tij të larta.
Prandaj, Ibnul Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Me të vërtetë që Zoti është i Plotfuqishmi, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi, i Gjalli i Përhershëm, i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëdituri, Dëgjuesi, Shikuesi, Bujari, Dhuruesi dorëlëshuar, Ai që jep dhe ndalon, Ai që ka mundësi të të dëmtojë dhe të të bëjë dobi; i Pari i pafillim dhe i Fundit i pambarim; Ai që humb atë që do dhe udhëzon atë që do; e lumturon atë që do dhe hidhëron atë që do; e lartëson atë që do dhe e poshtëron atë që do, si dhe kuptime të tjera që i përmban zotërimi i Tij, të cilat kuptime Ai i meriton nga Emrat e Tij të bukur."