الْحَكِيمُ

El-Hakiim

Gjykuesi i Urtë

وَهُوَ ٱلۡحَكِيمُ ٱلۡخَبِيرُ١٨

﴿

"Ai është Gjykatësi i Urtë e i Mirëinformuar."

— el-En’am, 18

Është përmendur emri i Allahut “el-Hakiimu” në Kur'anin Fisnik afërsisht njëqind herë. Ka thënë i Lartësuari:

وَهُوَ ٱلۡحَكِيمُ ٱلۡخَبِيرُ١٨

﴿

"Ai është Gjykatësi i Urtë e i Mirëinformuar."

— el-En’am, 18

Gjithashtu ka thënë i Lartësuari:

وَٱللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ٢٢٨

﴿

"Allahu është i Plotfuqishëm, Gjykatës i Urtë."

— el-Bekare, 228

Ky emër madhështor tregon për vërtetësinë e gjykimit të plotë dhe urtësisë së plotë të Allahut. Për sa i përket përsosmërisë së urtësisë, atë e tregon urtësia e Allahut të Pastër nga çdo mangësi, në krijimin e Tij, në urdhrin e Tij dhe në ligjin e Tij, sepse Ai i vendos çdo gjë në vendin e duhur dhe i zbret në vendin që u takon, e Atij nuk i drejtohet asnjë pyetje dhe nuk mund të qortohet urtësia e Tij me asnjë fjalë.

Ndërsa përsosmëria në gjykimin e Tij vërtetohet me faktin që gjykimi i takon vetëm Allahut dhe se Ai gjykon mes robërve të tij si të dojë, vendos për ta si të dëshirojë dhe askush nuk e kthen dot gjykimin e Tij dhe askush nuk i kundërvihet dot vendimit të Tij. Ka thënë i Lartësuari:

إِنِ ٱلۡحُكۡمُ إِلَّا لِلَّهِۖ

﴿

"Me të vërtetë që gjykimi i përket vetëm Allahut."

— el-En’am, 57

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

وَلَا يُشۡرِكُ فِي حُكۡمِهِۦٓ أَحَدٗا٢٦

﴿

"...dhe askush nuk është ortak në gjykimin e Tij."

— el-Kehf, 26

Askush nuk mund t’i kthehet Allahut që Ai ta rishikojë gjykimin e Tij, njësoj siç bëjnë njerëzit që u kthehen njëri-tjetrit për gjykimet e tyre. Ka thënë i Lartësuari:

وَٱللَّهُ يَحۡكُمُ لَا مُعَقِّبَ لِحُكۡمِهِۦۚ وَهُوَ سَرِيعُ ٱلۡحِسَابِ٤١

﴿

"Allahu gjykon, e s’ka kush që mund t’i kundërvihet gjykimit të Tij. E padyshim që Ai e mbaron shpejt llogarinë."

— er-Ra’d, 41

Pra, gjykimi i Tij te krijesat e Tij zbatohet menjëherë dhe askush nuk e kthen dot mbrapsht.

Pohimi i gjykimit për Allahun e Pastër nga çdo mangësi, përmban pohimin e të gjithë emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të larta, sepse nuk mund të jetë Gjykues i Urtë vetëm se ai që është Dëgjues dhe Shikues, i Gjithëdijshëm, i Mirëinformuar, Folës, Sistemues, si dhe të posedojë emrat dhe cilësitë e tjera.

Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 37Përktheu: Abdullah Beqiri
Emratmë tëBukur

© 2026