ذُو الْجَلاَلِ وَالإِكْرَامِ

Dhul-Xhelali uel-Ikram

Poseduesi i Madhështisë dhe Lavdisë

تَبَٰرَكَ ٱسْمُ رَبِّكَ ذِى ٱلْجَلَٰلِ وَٱلْإِكْرَامِ

﴿

"I Madhëruar është Emri i Zotit tënd, Poseduesi i Madhështisë dhe Lavdisë."

— er-Rahman, 78

Ky Emër është përmendur në Suren “er-Rahman" në fjalën e të Lartësuarit:

تَبَٰرَكَ ٱسْمُ رَبِّكَ ذِى ٱلْجَلَٰلِ وَٱلْإِكْرَامِ

﴿

"I Madhëruar është Emri i Zotit tënd, Poseduesi i Madhështisë dhe Lavdisë."

— er-Rahman, 78

Gjithashtu është transmetuar në Sunetin Profetik mirësia e lutjes me këtë emër. Është transmetuar në “el-Musned” nga Rabij'ah Ibn 'Amir, radijAllahu anhu, se e ka dëgjuar Pejgamberin - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - të thotë: "Thoni: ‘O Posedues i Madhështisë dhe i Lavdisë." Pra, kapuni fort pas këtij emri, përqendrohuni te ky emër, thuajeni atë shpesh dhe vazhdimisht në lutjet tuaja.

Gjithashtu është transmetuar në "Sahihun e Muslimit" nga Theubani, radijAllahu anhu, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pasi mbaronte namazin (pas Selamit) thoshte tre herë “Estagfirull-Llah”, më pas thoshte:

اللّهُـمَّ أَنْـتَ السَّلامُ وَمِـنْكَ السَّلام تَبارَكْتَ يا ذا الجَـلالِ وَالإِكْـرام

"O Allah, Ti je i Përsosuri prej çdo mangësie dhe prej Teje vjen shpëtimi, i Lartësuar dhe i Madhëruar je Ti që posedon Madhështinë dhe Lavdinë."

Ky emër është një nga emrat e përbërë dhe janë një sasi e caktuar e këtyre emrave sipas një grupi të dijetarëve të cilët i llogarisin si Emra të bukur të Allahut.

Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Gjithashtu prej emrave të Tij janë emrat e përbërë, të tillë si:

Më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesëve - أرحم الراحمين

Falësi më i mirë - خير الغافرين

Zoti i botëve - رب العالمين

Sunduesi i Ditës së Gjykimit - مالك يوم الدين

Krijuesi më i mirë - أحسن الخالقين

Grumbulluesi i njerëzve në Ditën që s’ka dyshim në të- جامع الناس ليوم لا ريب فيه

Rrotulluesi i zemrave –مقلب القلوب

Si dhe emra të tjerë të ngjashëm që janë vërtetuar në Kur'an dhe Sunet. Gjithashtu është vërtetuar lejimi i lutjes me këto emra sipas unanimitetit të Muslimanëve."

Në emrin e Allahut të Lartësuar "Dhul-Xhelali uel-Ikram" bashkohen dy cilësi: “El-Xhelal” përmban madhështinë, ndërsa “el-Ikram” përmban lavdinë dhe dashurinë.

Ka thënë shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë: "Përderisa Ai është që e meriton Madhështinë dhe Lavdinë, atëherë duhet patjetër që të përshkruhet për Veten e Tij me atë që domosdoshmërisht kuptohet prej tyre, siç thua: i Adhuruari është Ai që e meriton të adhurohet. Prandaj, Ai e meriton që të adhurohet gjë që e kërkon ky emër (i Adhuruari i vetëm).” Pra, që të madhërohet dhe lavdërohet nga të tjerët. Vazhdon Ibën Tejmijeh duke thënë: “ ...ndërsa njerëzit nuk mund ta madhërojnë Atë ashtu siç duhet, por Ai është ashtu siç e ka madhëruar Veten e Tij. Gjithashtu Ai meriton plotësisht të Madhërohet e të Lavdërohet, e Ai, i Pastëri prej të metave, e Madhëron dhe e Lavdëron Veten e Tij, ndërsa krijesat nuk mund ta madhërojnë dhe lavdërojnë Atë ashtu siç duhet. Pra “el-Ixhlal” është nga lloji i madhërimit, ndërsa “el-Ikram” është nga lloji i dashurisë dhe lavdërimit dhe është e ngjashme me Fjalën e Tij:

لَهُ ٱلْمُلْكُ وَلَهُ ٱلْحَمْدُ ۖ

﴿

"Atij i përket Sundimi dhe Lavdërimi."

— Et-Tegabun, 1

Pra, Atij i përket madhështia dhe sundimi, i përket lavdia dhe lavdërimi.”

Allahut i takojnë falënderimet e shumta, të sinqerta dhe të begata që ka sjellë lehtësime dhe begati, ndërsa unë nuk e lavdëroj dhe falenderoj Atë ashtu siç duhet. Thotë i Lartësuari:

رَبِّ أَوْزِعْنِىٓ أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ ٱلَّتِىٓ أَنْعَمْتَ عَلَىَّ وَعَلَىٰ وَٰلِدَىَّ وَأَنْ أَعْمَلَ صَٰلِحًا تَرْضَىٰهُ وَأَدْخِلْنِى بِرَحْمَتِكَ فِى عِبَادِكَ ٱلصَّلِحِينَ

﴿

"O Zoti im, ma mundëso mua të të falenderoj për begatinë Tënde me të cilën më ke begatuar mua dhe prindërit e mi dhe që të bëj vepra që të kënaqin Ty; dhe me Mëshirën Tënde më fut mua në radhët e robërve të Tu të devotshëm."

— En-Neml, 19

Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

Autori: Shejkh Abdur-Razzak el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 105-106Përktheu: Servet Mata
Emratmë tëBukur

© 2026