المُحْسِنُ

El-Muhsin

Bamirësi

وَأَحْسِن كَمَآ أَحْسَنَ ٱللَّهُ إِلَيْكَ

﴿

"Bëj mirë siç të ka bërë mirë Allahu ty."

— El-Kasas, 77

Ky emër nuk është përmendur në Kur'an si emër por është përmendur si folje, siç është fjala e të Lartësuarit:

وَأَحْسِن كَمَآ أَحْسَنَ ٱللَّهُ إِلَيْكَ

﴿

"Bëj mirë siç të ka bërë mirë Allahu ty."

— El-Kasas, 77

Dhe Fjala e Tij:

وَقَدْ أَحْسَنَ بِىٓ إِذْ أَخْرَجَنِى مِنَ ٱلسِّجْنِ وَجَآءَ بِكُم مِّنَ ٱلْبَدْوِ

﴿

"Vërtetë Ai më bëri mirësi mua kur më nxori nga burgu e juve ju solli këtu nga shkretëtira."

— Jusuf, 100

Ndërsa në sunet ka ardhur pohimi i këtij emri për Allahun e Plotfuqishëm e të Lartëmadhërishëm, siç është fjala e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

إذا حكمتم فاعدلوا، و إذا قتلتم فأحسنوا، فإن الله محسن يحب المحسنين

"Kur të gjykoni tregohuni të drejtë, e kur ta vrisni prenë, vriteni në mënyrën më të mirë. Me të vërtetë që Allahu është i Mirë dhe i do të mirët."

(Këtë hadith e transmetojnë et-Taberanij dhe Ebu Nu'ajm me rrugë të mirë transmetimi.)

Kuptimi i Emrit të Allahut “El-Muhsin” ka origjinën te mirësia, begatimi, bujaria, nderimi, mirënjohja, dhënia dhe dhurimi. Bamirësia është cilësi e pandashme e Tij, të Pastrit prej të metave. Çdo gjë që ekziston nuk mund të ketë pavarësi nga Mirësia e Tij as sa një përpëlitje syri, duke i krijuar, furnizuar dhe ndihmuar ato. Thotë i Lartësuari:

ٱلَّذِىٓ أَحْسَنَ كُلَّ شَىْءٍ خَلَقَهُۥ ۖ وَبَدَأَ خَلْقَ ٱلْإِنسَٰنِ مِن طِينٍۢ

﴿

"Ai është i Cili e përsosi çdo gjë që krijoi, ndërsa njeriun e krijoi nga balta."

— Es-Sexhdeh, 7

Thotë i Lartësuari:

وَصَوَّرَكُمْ فَأَحْسَنَ صُوَرَكُمْ ۖ وَإِلَيْهِ ٱلْمَصِيرُ

﴿

"Ai (Allahu) ju formoi juve në formën më të përkryer dhe tek Ai do të ktheheni."

— Et-Tegabun, 3

Mirësia dhe begatia më e madhe është udhëzimi në këtë Fe, hapja e krahërorit për të qenë i qëndrueshëm ndaj bindjes së Zotit të botëve, qëndrueshmëria në të vërtetën dhe në udhëzim deri në vdekje derisa kjo të kurorëzohet me nderimin më të madh, bamirësinë më të shtrenjtë, e që është hyrja në Xhenet Ditën e Gjykimit dhe t’i mundësohet ta shikojë Bujarin, të Gjithëmëshirshmin, Bamirësin, Dhënësin e të gjitha mirësive. I lutemi Atij, të Pastrit nga çdo e metë, që të na japë nga bujaria e Tij e madhe dhe mirësia e Tij e pashtershme.

Allahu, i Pastri prej të metave, dëshiron prej robërve të Tij që të afrohen tek Ai duke iu përmbajtur kuptimeve të Emrave të Tij. Ai është i Gjithëmëshirshmi, i do të mëshirshmit; Ai është më Bujari dhe i do bujarët; Ai është më Bamirësi dhe i do vepërmirët. Thotë i Lartësuari:

وَأَحْسِنُوٓاْ ۛإِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

﴿

"Bëni mirë sepse vërtetë Allahu i do vepërmirët."

— El-Bekareh, 195

Gjithashtu prej mirësisë është edhe mirësia që u bën robërve të Allahut, duke u sjellë mirë me prindërit, duke i mbajtur lidhjet farefisnore, duke i përmbushur të drejtat e të tjerëve, duke i ndihmuar nevojtarët, duke mos i dëmtuar njerëzit, duke u përpjekur për t'u bërë mirë atyre si dhe mirësi të tjera që mund të bësh me robërit e Allahut.

Në lidhje me këtë, Allahu ka premtuar shpërblim të madh në këtë botë dhe në botën tjetër në shumë ajete Kur'anore. Ndërsa në Fjalën e Tij, të Pastrit prej të metave, ka bashkuar mes këtyre dy shpërblimeve, ku thotë:

فَـَٔاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ ثَوَابَ ٱلدُّنْيَا وَحُسْنَ ثَوَابِ الآخِرَةِ ۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

﴿

"Kështu Allahu ua dha atyre shpërblimin në këtë botë dhe shpërblim më të mirë në botën tjetër. Me të vërtetë që Allahu i do vepërmirët."

— Al-'Imran, 148

Allahun na bëftë neve prej tyre me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij.

Autori: Shejkh Abdur-Razzak el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 79-80Përktheu: Servet Mata
Emratmë tëBukur

© 2026