المَلِكُ·المَلِيكُ

El-Melik

[Sunduesi, Zotëruesi]

El-Meliik

[Sunduesi absolut]


Emri “el-Melik” është përmendur në Kuranin Fisnik në pesë vende të ndryshme. Një nga ato është fjala e Tij, të Lartësuarit

هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ

﴿

“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, Sunduesi, i Pastri nga çdo mangësi.” El-Hashr, 23

Emri “el-Meliik” është përmendur në një vend të vetëm në fjalën e Tij, të Lartësuarit:

إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَنَهَرٍ فِي مَقْعَدِ صِدْقٍ عِنْدَ مَلِيكٍ مُقْتَدِرٍ

﴿

“Të devotshmit janë në Xhenete dhe lumenj. Në vendin e të vërtetës, tek Sunduesi i Plotfuqishëm.” El-Kamer, 54-55

Këto dy emra tregojnë se Allahu, i Pastërti nga çdo mangësi, posedon sundimin. Që do të thotë se Ai është Zotërues i të gjitha gjërave dhe Ai është që i drejton ato; askush nuk mund ta pengojë dhe të konkurrojë me Atë.

Është përsëritur në Kuranin Fisnik sqarimi se veçimi i Allahut në sundim, në të cilin Ai nuk ka ortak, dhe ky sqarim është një argument i qartë se është detyrë që vetëm Ai të veçohet me adhurim. I Lartësuari ka thënë:

ذَلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ فَأَنَّى تُصْرَفُونَ

﴿

“Ky është Allahu, Zoti juaj; Atij i përket sundimi; nuk ka të adhuruar tjetër që e meriton adhurimin përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që ju largoheni nga Ai?” ez-Zumer, 6

Gjithashtu është argument që vërteton se adhurimi që i dedikohet dikujt tjetër në vend të Allahut, dikujt që nuk posedon për veten e tij as dëm e as dobi, as jetë as vdekje e as ringjallje, mu ky është devijimi më i madh dhe pavërtetësia më e madhe. Në Kur`an kanë ardhur një numër ajetesh që e pohojnë këtë realitet dhe e sqarojnë këtë çështje, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

ذَلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ وَالَّذِينَ تَدْعُونَ مِنْ دُونِهِ مَا يَمْلِكُونَ مِنْ قِطْمِيرٍ

﴿

“Ky është Allahu, Zoti juaj; Atij i përket sundimi, kurse ata që i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as edhe një cipë të bërthamës së hurmës.” Fatir, 13

Po ashtu, ka thënë i Lartësuari:

وَاتَّخَذُوا مِنْ دُونِهِ آلِهَةً لَا يَخْلُقُونَ شَيْئًا وَهُمْ يُخْلَقُونَ وَلَا يَمْلِكُونَ لِأَنْفُسِهِمْ ضَرًّا وَلَا نَفْعًا وَلَا يَمْلِكُونَ مَوْتًا وَلَا حَيَاةً وَلَا نُشُورً

﴿

“Ata kanë marrë të adhuruar të tjerë në vend të Tij, të adhuruar që nuk krijojnë asgjë e që vetë ata janë të krijuar, të cilët nuk zotërojnë për vetet e tyre as dëm e as dobi, nuk zotërojnë as vdekje, as jetë e as ringjallje.” El-Furkan, 3

Ai që nuk zotëron asnjë grimcë në këtë univers, nuk lejohet që t’i dedikohet asnjë formë adhurimi, ngaqë adhurimi është e drejtë vetëm e Sunduesit të Madh, Krijuesit Fisnik, Zotit që drejton çdo gjë në këtë gjithësi, i Cili nuk ka ortak; Ai është i Plotëfuqishmi, i Gjithëpushtetshmi, i Lartmadhëruari, e s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij.

Autori: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-BedërBurimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 14Përktheu: Jeton Shasivari
Emratmë tëBukur

© 2026